Secondary Adv

Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të rinisë në Europë vitin e kaluar

Shqipëria renditet e para në Europë për tkurrjen e popullsisë së re, me një rënie rekord të grup-moshës 15–29 vjeç gjatë vitit 2024, duke humbur mbi 18 mijë të rinj brenda një viti.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15–29 vjeç në Europë paraqesin një situatë veçanërisht shqetësuese për Shqipërinë. Në janar të vitit 2025, vendi numëronte 405,832 të rinj në këtë grup-moshë, rreth 18,300 më pak krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar një rënie prej -4.32%, më e larta në të gjithë kontinentin.

 

Shpejtësia e tkurrjes së rinisë shqiptare rezulton katër herë më e lartë se ajo e Serbisë, e cila pason me një rënie prej vetëm -1.03%. Ndërkohë, vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia raportojnë rënie minimale, nën 1%, duke theksuar edhe më shumë përmasat e fenomenit në Shqipëri.

 

Kontrast i fortë me vendet në rritje

Diferenca bëhet edhe më e theksuar kur Shqipëria krahasohet me vende që po shënojnë rritje të popullsisë së re. Spanja regjistroi një rritje prej +2.76% të grup-moshës 15–29 vjeç, Bullgaria +1.98% dhe Rumania +1.97%, duke reflektuar një riorientim të rinisë drejt tregjeve të punës dhe sistemeve arsimore të këtyre vendeve.

 

Ndërkohë që shumë shtete të Bashkimit Europian, si edhe vende jashtë tij si Zvicra dhe Islanda, po stabilizojnë ose po rrisin numrin e të rinjve, Shqipëria po përjeton një zbrazje të thellë demografike, që e dallon negativisht edhe nga fqinjët e saj ballkanikë.

 

Një alarm për tregun e punës dhe zhvillimin

Tkurrja e rinisë përbën një fenomen alarmant specifik për Shqipërinë dhe jo një prirje rajonale. Humbja e rreth 18,333 të rinjve brenda një viti është e barasvlershme me zhdukjen e një qyteti të tërë të përbërë nga studentë dhe profesionistë të rinj, duke lënë pas një boshllëk të madh në forcën punëtore aktive dhe në potencialin inovativ të vendit.

 

Në të njëjtën kohë, Gjermania dhe Italia, dy nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, shënojnë rritje të popullsisë së tyre të re, përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%, duke përfituar drejtpërdrejt nga kapitali njerëzor që largohet nga Shqipëria.

 

Nëse ky trend nuk frenohet, pasojat pritet të jenë afatgjata, duke ushtruar presion të shtuar mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase, të cilat tashmë vuajnë mungesën e stafit. Me këto ritme, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në vendin me plakjen më të shpejtë të popullsisë në Europë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat